LUTJA HYRËSE

Të përcjellim o Zot, në udhën tënde të kryqit me të gjithë ata që kryqin tënd e kanë marrë vullnetarisht dhe kanë ardhur pas teje. Në mes tyre janë edhe të lumturat Martiret e Drines. Ato janë dëshmitare se është e leverdishme të besojmë ty dhe jetën tonë ta vëmë në duart e tua. Ato janë udhë treguese gjatë rrugës pa dalje të jetës sonë. Fenë e vet e kanë shprehur jo vetëm me fjalë por edhe me ndjekje ty deri në martirizim. Në këtë udhë të kryqit i përcjellim ditët e fundit të tyre, duke të lutur që përmes ndërmjetësimit të tyre të na ndihmosh të mbajmë kryqet e jetës.

Rrinte Zoja tuj lotue,

afër kryqit tuj shikue,

Krishtin pezull kryqëzue.

Nanë e dashtun t’lus pa pra,

varr’t e Birit tand pa da,

gjurma n’zemër me m’i ba.

Të ndalurit e I

Jezu Krishtin e gjykojnë për vdekje

T’ adhurojmë, o Krisht e të bekojmë.

Pse me kryqin tënd të shenjtë e shpërbleve botën mbarë.

Gjatë gjithë natës, krismat dhe zhurmat e armëve i kanë shqetësuar motrat në kuvendin e tyre modest në Pale, i quajtur „strehimorja e të varfërve“. U vërsulën në kuvend. Të varfrit nuk mund të vinë më në „hotelin“ e tyre. Dreka që përgatitej këtu për çdo ditë për të varfrit, më nuk do ta hanin. Punët e filluara do të mbeten të pa përfunduara, sepse motrat nuk janë më në shtëpi. Disa njerëz të tjerë, të panjohur, ecin nëpër të. Shikojnë çdo cep dhe marrin çfarë duan. Sot motrat fillojnë udhën e kryqit prej Pales nëpër Romani deri në Gorazhde.

O Zot, ty të kanë lidhur, kurse atyre iu urdhëruan ta lëshojnë shtëpinë e tyre. Të lutemi, na jep edhe neve forcë të pranojmë gjykimet e pa drejta, t'i pranojmë në lirinë e brendshme të shpirtit. Edhe neve le të na mbajë feja e fortë që je gjithmonë me ne.

Heshtat n’zemër prej trishtimit,

prej ezgjetit prej idhnimit,

Zoj’s përshkue ia kishte shqimit.

Të ndalurit e II

Jezu Krishti është ngarkuar me kryq

T’ adhurojmë, o Krisht e të bekojmë.

Pse me kryqin tënd të shenjtë e shpërbleve botën mbarë.

Duke dëgjuar se ushtarët ishin duke hyrë në shtëpi, motrat i kapi frika. Edhe pse askujt nuk i kishin bërë asgjë të keqe, e kanë ndjerë se këta „vizitorë“ nuk janë bashkëbisedues të kuptueshëm. Është mirë të jemi të gatshëm për atë më të keqen, të jemi të pajtuar me Zotin. Hynë në dhomën në të cilën si mysafir qëndronte një meshtar, ranë në gjunjë dhe kërkuan zgjidhje. Duke mos dyshuar, meshtari iu dha atë që kërkuan. Tani le të bëhet ajo çfarë të bëhet.

Ai i cili pranon kryqin, këtë e bën duke e ditur se ai kryq mund të jetë për të vdekjeprurës. Është ngushëllim të shkojnë në takim të pasigurtë por të pajtuara me gjithçka. Ti o Zot, duke lutur në kopshtin e Gjetsemanit, ke pranuar gjithçka do të të ndodhte. Na jep edhe neve mençuri të pranojmë situatat e rënda dhe butësinë e të jetuarit në paqe me ty, me vetveten dhe me të afërmin.

Oh sa n'vaj e sa n'ankim

Kje n'atë ças, pa pasë nje g'zim,

Nana e Krishti veç bekim.

Të ndalurit e III

Jezu Krishti bie të parën herë nën kryq

T’ adhurojmë, o Krisht e të bekojmë.

Pse me kryqin tënd të shenjtë e shpërbleve botën mbarë.

Të përjashtuara nga kuvendi i tyre, motrat mundohen t'i përmbledhin mendimet dhe të shikojnë çfarë është duke ndodhur. Ndoshta është fjala për ndonjë mosmarrëveshje? A duhet të provojnë t'ju tregojnë atyre ushtarëve kush janë dhe çka janë? Apo ushtarët me qëndrimin e tyre të qetë dhe dinjitet do të kuptojnë që ato janë femra, motra nderi, të cilat askujt nuk i kanë bërë asgjë të keqe.

Kur të gjendemi në raste kur nuk dimë si të reagojmë ose si të sillemi me të keqen e cila na rrethon, kur fillojmë të mendojmë mbi atë se ndoshta duhet ta kthejmë me masë të njëjtë, ti o Zot na jep duresën, qartësinë e mendjes dhe forcën që të pranojmë më mirë pafuqinë tonë, se të pajtohem me të keqen.

Qante dneste e dhimshmja nanë,

mundue Krishtin për gjith’ anë,

pa mujt kush nji ndihmë me i dhanë.

Të ndalurit e IV

Jezu Krishti hasë në Nënën e vet

T’ adhurojmë, o Krisht e të bekojmë.

Pse me kryqin tënd të shenjtë e shpërbleve botën mbarë.

Ndërsa po i merrin, motrat kthehen dhe shikojnë kah shtëpia. Në mendime përmbledhin momentin e fundit kur u detyruan ta lëshojnë shtëpinë e vet. Tani duhet të jenë në kapelë në lutjen e përbashkët. Duhej të thonin faleminderit për ditën që kaloi, për punën që e përfunduan, për njerëzit të cilët i takuan, për dhuratat që ju dhuruan. Por qetësia stabilizuese e ecjes së përditshme u ndërpre me sulmin e të huajve në vendin dhe kohën e jetës së tyre, në jetën e tyre.

Situatat e jetës o Zot, na bien deri aty saqë shpesh nuk jemi në gjendje, as nuk mundemi të realizojmë atë çfarë kemi menduar ose është e nevojshme. Ruaje në ne qetësinë dhe mençurinë që mos të biem në tundimin e ngutësisë, duke marrë vendime të pamenduara dhe duke kërkuar zgjidhje të shpejta. Na ndihmo që kohën tonë të dimë të ndajmë ashtu që të kemi kohë të mjaftueshme për lutje dhe punë, për pushim dhe shoqërim.

Tuj kqyrë nanën e Tënzot,

afër Krishtit me varrë plot,

nuk është njeri që s’derdh’ lot.

Të ndalurit e V

Jezu Krishti ndihmuar prej Cireneut

T’ adhurojmë, o Krisht e të bekojmë.

Pse me kryqin tënd të shenjtë e shpërbleve botën mbarë.

Ashtu të frikësuara dhe duke u ngrirë nga të ftohtit, motrat ecnin rrugës në të cilën nuk dinin ku po shkojnë dhe ku po i dërgojnë. Rrugës takojnë shikime kureshtare. Disa i shikojnë me çudi, disave iu dhimbsen, kurse disa i shohin me përbuzje dhe kënaqësi. Shumica e njerëzve vendas e dinin kush ishin. Sidoqoftë, askush nuk guxoi të ndërmarrë haptazi diçka për lirimin e tyre dhe të thonë asgjë tjetër në dobi të tyre. Të ballafaquara me dhunën, që ta mbrojë veten, njeriu është i prirë të ulë kokën, të bëhet sikur nuk shikon asgjë.

Edhe ne o Zot, shpesh jemi të penguar nga frika të shumta. I ndjejmë padrejtësitë, nuk kemi forcë më ti emërojmë me zë dhe të luftojmë për drejtësi. Më mirë tërhiqemi dhe heshtim, duke u bërë sikur ajo nuk na përket ne. Na mungon forca e Simonit prej Cirene. I detyruar prej të padrejtëve, qëndrojmë në anën e të Drejtit. Na forco, kur të ballafaqohemi me frikat personale.

Kush sheh Zojen n’atë ezgjet,

gadi dekun për djalë t’vet,

pa dnesue jo nuk jet.

Të ndalurit e VI

Veronika ia fshin fytyrën Jezu Krishtit

T’ adhurojmë, o Krisht e të bekojmë.

Pse me kryqin tënd të shenjtë e shpërbleve botën mbarë.

I futën në një shtëpi. Në fytyrën e kryefamiljarit u pa ngushëllimi ndaj mysafirëve të pa thirrur. Me siguri, motrat kanë ndjerë lehtësim. Kryefamiljari çohet në mbrojtje të tyre dhe lutë t'i lënë në paqe sepse ato nuk i kanë bërë keq askujt. Këtu i lanë shkurt duke kërcënuar kryefamiljarin, se ai do të jetë përgjegjës nëse motrat ikin; kurse ato as që duhet mendojnë të ikin. Dëshironin të nxeheshin dhe të pushonin pak, t'i thanin këpucët sadopak. Gjithë këtë e fituan te kjo familje.

Ka vepra të mira të cilat nuk mund ta ndryshojnë fatin e askujt, por mund të dëshmojnë njerëzinë dhe mëshirën. Shamia e ofruar e Veronikës. Mbrojtja e ofruar motrave në atë familje modeste. O Zot, çdo bamirësi le t’i sjellë fryte edhe atyre që bëjnë edhe atyre që ju bëhet. Dashurinë e mëshirshme le ta ndiejnë edhe ata të cilët ndaj të tjerëve janë të pamëshirshëm.

Mëkatet tona me i resitë,

e pa Krishtin krejt molitë,

prej së rrahnash t’asaj ditë.

Të ndalurit e VII

Jezu Krishti bie të dytën herë nën kryq

T’ adhurojmë, o Krisht e të bekojmë.

Pse me kryqin tënd të shenjtë e shpërbleve botën mbarë.

Rruga vazhdon më tej. Nata është e ftohtë. Era rrahë pa mëshirë. Sigurisht që motrat bien rrugës me borë, nëse aty ka pasur sadopak rrugë. Ndoshta arrijnë me shtrëngimin e duarve të ngriten dhe të entuziazmojë njëra tjetrën: „Mbahu motër”. Nuk je vetëm, jemi së bashku. Jezusi nuk na ka lënë. E mira do të fitojë. Nuk mbajmë mbi vete asnjë faj. Jemi me ndërgjegje të qetë. Ky është Kalvari ynë.“

Është më e lehtë o Zot kur njeriu nuk është vetëm. Ku janë dy ose tre të mbledhur në emër tënd edhe ti je me ta. Edhe në rrethana të këqija, të lëvdojmë përkundër vuajtjes. T’i ndihmojnë njëri tjetrit të ngritet pas rënies. Atëherë hiri dhe mirësia e të afërmit, le të jetë mbështetje.

N’mal t’Kalvarit kur e lëshoi,

veten n’kryq e kur mbaroi,

Krishtin pau e dhimbshmja Zojë

Të ndalurit e VIII

Jezu Krishti ngushëllon gratë

T’ adhurojmë, o Krisht e të bekojmë.

Pse me kryqin tënd të shenjtë e shpërbleve botën mbarë.

Pronari i një gjellëtoreje i përzuri, sepse mysafire të tilla, siç ishin motrat e nderit, te ai nuk kanë vend. I çun në një shtëpi tjetër. Në familje me fëmijë të vegjël të cilët i shikonin motrat me kuriozitet. Motrat nuk kanë asgjë me çka t'i falenderojnë njerëzit e shtëpisë për shtratin me kashtë të cilin iu ofruan. Mund t'ju japin vetëm fjalën e falenderimit, buzëqeshjen dhe lutjen.

Bekoji o Zot, njerëzit ngushëllues dhe aftësinë për të vërejtur nevojat, dhe lehtëso vuajtjen e njerëzve të tjerë. Shpesh mendojmë se nuk mund të bëjmë mjaftueshëm dhe për këtë nuk bëjmë asgjë. Na ndihmo të pranojmë varfërinë personale dhe të ndajmë bollshëm me të tjerët dhuratat të cilat ti na ke dhënë.

Deh ti nana me dashni,

dhimbjen tënde ban ta ndi,

sa t’jetoj n’kët shekull t’zi.

Të ndalurit e IX

Jezu Krishti bie të tretën herë në kryq

T’ adhurojmë, o Krisht e të bekojmë.

Pse me kryqin tënd të shenjtë e shpërbleve botën mbarë.

Më e moshuara në mes tyre, m. Berchmana, nuk mundi më tej. Vendosën t’a ndajnë, mbeti në vendin ku gjendeshin, kurse motrat vazhduan më tej. Nuk kanë zgjidhje. M. Berchmana mbetet vetëm. Edhe dhuna mund të bëhet bekim nëse pranohet vullnetarisht, me fe në Zotin.

Kur e ndiejmë se nuk mundemi më, se dobësia dhe ligështia e trupit, shpirtit dhe e frymës, na ndajnë prej vazhdimësisë së jetës dhe qëndrojmë vetëm në ligështi, atëherë ti o Zot, zgjate dorën tënde dhe na forco me Shpirtin jetëdhënës. Mos lejo të besojmë se edhe ti na ke lënë. Na jep që edhe në errësirën më të madhe të shpirtit dhe të vetmisë, mos të humbim fenë e gjallë në ty.

Tuj t’u lutë gjithmonë po shkoj,

ban që Krishtin ta adh’roj,

hirin tënd kurrë mos ta lëshoj.

Të ndalurit e X

Jezu Krishtin e zhveshin

T’ adhurojmë, o Krisht e të bekojmë.

Pse me kryqin tënd të shenjtë e shpërbleve botën mbarë.

Rruga i dërgon gjithnjë e më larg, deri te reparti ushtarak në Gorazhde. Motrat sigurisht janë gëzuar, duke ditur se kanë arritur te qëllimi i udhëtimit katër ditor. Ndoshta do të mund të pushojnë dhe të nxehen pak, pasi prej nesër do të ndihmonin të plagosurit. Në to u gjallërua shpresa se udha e kryqit e tyre ka përfunduar. Por së shpejti e gjithë kjo do të binte në ujë. E vetmja shpresë përfundimtare, do të ishte Zoti.

O Zot, mos lejo të formojnë shpresa të rreme dhe të qëndrojmë në gënjeshtrat e jetës. Sidomos na ruaj prej asaj që mos t’i besojmë premtimeve të zbrazëta dhe ngashënjimeve të fshehura të të Keqit. Në jep të dimë të dallojmë të mirën e cila na vjen prej teje dhe e cila na udhëheq tek ti, prej të mirës momentale të rreme e cila na zhvesh dhe na shkatërron.

Nanë e dashtun t’lus pa pra,

varr’t e Birit tand pa da,

gjurma n’zemër me m’i ba.

Të ndalurit e XI

Jezu Krishtin e gozhdojnë në kryq

T’ adhurojmë, o Krisht e të bekojmë.

Pse me kryqin tënd të shenjtë e shpërbleve botën mbarë.

Britma dhe zhurma, fjalë të pahijshme dhe të vrazhda, kurse kërcënimet që u thoshin ishin gjithnjë e më afër. Motrave iu dridhnin këmbët, iu këputën duart, i kapi frika. Si t'i kundërshtojnë synimeve me dinjitetin e tyre dhe kushtimin e pastërtisë dhënë Zotit? Çka të bëjnë? Nuk ka tjetër rrugëdalje por, të bëjnë çka është e vetmja e mundshme. Përmes dritares së hapur t'i ikin kurthit së tyre, edhe nëse kjo kishte çmimi e jetës. „O Atë le të bëhet. Pranoje shpirtin tonë!“ tha m. Jula. Dhe bënë kërcimin përfundimtar të fesë.

O Zot, na jep shpresë të fortë në ty, ashtu siç kanë patur motrat Martire, që edhe në situata të pashpresa, kur na kryqëzojnë në kryq, të gjejmë në Ty daljen e shpëtimit. Na jep që të besojmë ashtu si i ke besuar ti Atit dhe me atë fe të mundim botën.

Ti pjestar m’ban përgjithmonë,

n’atë mundim që për faj tonë,

hoq mbi kryq Shëlbuesi jonë.

Të ndalurit e XII

Jezu Krishti vdes në kryq

T’ adhurojmë, o Krisht e të bekojmë.

Pse me kryqin tënd të shenjtë e shpërbleve botën mbarë.

Dëgjohen britmat dhe thirrje për ndihmë të motrave: „Jezus na shpëto! Jezus, Mari, Jozef!“ Të rraskapitura, në trup të thyera, por të pathyera në fe. E dinë kujt i besojnë dhe ku mbështet shpresa e tyre. Hija e vdekjes sillet mbi to ndërsa të gjallët iu japin të rrahurat e fundit. Momenti i vdekjes, momenti i fitimit përfundimtar i të mirës mbi kobin. Motrat kanë fituar, edhe pse fitimi i tyre, si dhe i Jezusit, mbetet i fshehur në sytë e gjakësorëve të tyre. Por te Zoti është e qartë: „Të lumtë shërbëtor i mirë e besnik! Pse u dëftove besnik në sende të vogla, do të bëj të parë mbi pasuri të mëdha: hyr në gëzimin e zotërisë tënd!“ (Mt 25,21).

O Zot, me vdekjen dhe ngjalljen tënde i ke dhënë kuptim vdekjes dhe e ke bërë derën e qiellit. Asnjë errësirë njerëzore për ty nuk është terr. Prej kryqit tënd lindi shpëtimi për të gjithë ata që vdesin të shkelur padrejtësisht. Edhe për ata që bëjnë padrejtësi. Shpërblyes i të dobëtëve dhe i të pafuqishmëve, me forcën e ngjalljes sate përfundo në çdo njeri veprën e shpëtimit.

Afër krygj’s t’Birit Tenzot,

m’ban o Zojë me derdhun lot,

der’sa t’kemi jetë e mot.

Të ndalurit e XIII

Jezu Krishtin e ulin prej kryqit

T’ adhurojmë, o Krisht e të bekojmë.

Pse me kryqin tënd të shenjtë e shpërbleve botën mbarë.

Trupat e vdekur qëndruan të shtrirë nën dritaren e repartit ushtarak. Më pas do t'i shtyjnë në bregun e lumit Drin. Të hedhura prej njerëzve dhe të lëna në skaj të jetës, pushojnë në kraharorin e tokës, pastaj i dorëzohen ujit. Ngushëllimi nuk ishte i lejuar të tregohet, as ndonjë keqardhje, as nderim, sepse ato do të ishin gjykimi i heshtur i keqbërësëve.

O Zot, të gjithë ata që kanë vdekur pa ngushëllim njerëzor, të gjithë të martirizuar me dhunë dhe pa arsye, vëri në prehrin e Nënës sate dhe dorëzoi në përqafimin e amshuar të Atit të tyre dhe tonit. Bëhu ngushëllimi i të trishtuarve të cilët kërkojnë të zhdukurit dhe të humburit e tyre. Ktheju jetë atyre të cilëve nuk dinë për varrin e të dashurve të tyre.

Afër kryqit tuj gjëmue,

afër teje tuj lotue,

kish të kjaj unë pa pushue.

Të ndalurit e XIV

Jezu Krishtin e varrosin

T’ adhurojmë, o Krisht e të bekojmë.

Pse me kryqin tënd të shenjtë e shpërbleve botën mbarë.

Motrat, si fli e urrejtjes dhe terrorit të madh, mbesin pa varr të vërtetë, të dorëzuara ujërave të shumta të Drines. Ajo iu dhanë emër të ri: prej atëherë ato janë Martiret e Drines. Kurse ato, Drines i thanë të jetë pushuesja e tyre, të cilat në vuajtje por të lumtura, u zgjuan në Zotin. Mali do të bëhej varr i fshehur i motrës më të moshuar e cila ishte ndarë nga të tjerat.

O Zot, na jep që të kujtojmë shpesh kalueshmërinë tonë dhe gjithçka çfarë humbim me vdekje dhe lëmë pas vetes. Por edhe të kujtojmë gjithçka që me vdekje fitojmë dhe gjejmë. Kurrë nuk mbesim pa asgjë, edhe atëherë kur nuk kemi asgjë, as varr. Kurrë nuk mund të mbesim pa jetën tonë. Na ndihmo që jeta jonë kurrë mos të mbesë pa ty. As në të tashmen as në amshim. Bëhu më të vërtetë Shpëtimtari ynë dhe Shpëtimtarë i çdo njeriu.

O Zojë virgjër nanë e dlirë,

lute Zotin t’ketë mëshirë,

ti shëlbim prej si na nxier.

LUTJA PËRFUNDIMTARE

Britmën „Jezu na shpëto“, me të cilën Martiret e Drines kanë shkuar drejt vdekjes, e ka dëgjuar ai të cilit iu është drejtuar. I ke shpëtuar o Jezus, shërbëtoret e tua besnike. Udhën e vet të kryqit e përfunduan në Mbretërinë tënde dhe nën dritare e repartit ushtarak. Të falenderojmë dhe të lëvdojmë ty i cili shpëton të dobëtin prej më të fortit, turtullin prej skifterit. Ti i mbulon me mbrojtje ata të cilët të duan dhe i ruan në ditën e fatkeqësisë. Të falenderojmë për shpëtimin e madh me të cilin na viziton. Të falenderojmë për atë fryt të kryqit tënd. Amen.

Qofsh lavdëruar Jezu Krishti, Shpëtimtari ynë i kryqëzuar

dhe Nëna e tij nën kryq, e dhimbshmja Mari.

  Lutje - të gjithë