Të lumturat e zotit – martiret e drines
“Të bësh mirë, të dhurosh gëzim, dhe t’i udhëheqësh në qiell” (Nënë Franziska Lechner). Shërbëtoret e Zotit të thirrura në jetë, pagëzim dhe në thirrjen rregulltare, të rrënjosura në Fe, jetuan thirrjen e tyre në pastërti, varfëri dhe dëgjesë në kongregatën e Bijave të dashurisë Hyjnore. Kush janë këto motra?
M. Jula Invanišević, (kroate) m. Berchmana Leidenix, (austriake), m. Krizina Bojanc, (kroate), m. Antonia Fabjan, (sllovene), m. Bernardeta Banja, kroate me origjinë hungareze.
Ato jetuan në bashkësinë e kuvendit të Pales, të quajtur “Shtëpia e Marisë”. Në vitin 1941, siç e dimë ishte lufta e dytë botërore, motrat ju shërbyen të gjithëve njerëzve në nevojë, pa dallim feje. Për këtë arsye ato nuk patën frikë se do të ndodhte diçka dhe do të kishin ndonjë rrezik për jetë. Por, ja më 11 dhjetor 1941, çetnikët i morën pesë motrat duke i dërguar për Gorazhde, ndërsa kuvendin e vodhën dhe e dogjën. Koha ishte e ftohtë me dëborë dhe udhëtimi i tyre i gjatë zgjati katër ditë. Berchmana nuk pati mundësi të vazhdojë kësaj rruge të Kalvarit për shkak të moshës së thyer, 76 vjeçe, por shpirtërisht dhe fizikisht ishte e bashkuar me motrat e saja në martirizim edhe pse jo në të njëjtin vend me bashkëmotrat e saja, por Kisha ka vendosur ta quajë një ndër pesë Martiret e Drines.
Më 15 dhjetor 1941, çetnikët rrezikuan dinjitetin e tyre dhe motrat besnike të kushtimit rregulltar, sidomos të pastërtisë, varfërisë dhe dëgjesës, edhe pse ishin marrë peng nga çetnikët, ndodheshin në një repart ushtarak, qëndruan besnike deri në fund duke mbrojtur virgjërinë e tyre. Duke parë se nuk kishin rrugëdalje nga çetnikët, motra Jula, eprore, i fton motrat që të hidhen nga dritarja për ta mbrojtur virgjërinë. Ajo vetë dhe njëra pas tjetrës u hodhën nga dritarja e katit të dytë të repartit ushtarak, dhe çetnikët të dëshpëruar që nuk ja arritën qëllimit, zbritën poshtë dhe me thika i masakruan dhe i zhveshën dhe më në fund i hodhën në lumin Drin, duke ju dhënë fund jetës së tyre trupore, por jo shpirtërore. Për këtë më mirë se askush dëshmon dëshmitari okular, don Anto Baković, i cili e ka përjetuar këtë dramë të martirizimit të tyre.
Por motrat e dinin se jeta e tyre nuk ishte në duart e çetnikëve duke u identifikuar me librin e dytë të Makabenjve “Ti o i pashpirt, mbi të pashpirtit, po na merr jetën e tanishme, por mbreti i botës i cili e din se po vdesim për ligjet e Tija, do të na ngjallë për jetën e pasosur” (2 Mak 7,9).
Kështu u hap një faqe e re në jetën e tyre, për Gorazhden, Bosnjën, sidomos për Bijat e dashurisë Hyjnore dhe Kishën mbarë.
Motrat vdiqën duke falur, sepse e dinin se do ta merrnin shpërblimin në qiell: prandaj Kongregata e Bijave të dashurisë Hyjnore i fali çetnikët, po ashtu Kisha në Bosnje, populli slloven, austriak dhe hungarez. Bosnja me shumë histori të përgjakshme, luftëra të tmerrshme, sot i thotë Papës Benediktit XVI: faleminderit që nënshkrove Dekretin për Lumturimin e “Shërbëtoreve të Zotit” të shpallur të lumtura në Pallatin e Sportit “Zetra” në Sarajevë, gjatë Meshës së Shenjët të kremtur nga i dërguari i Papës, Kardinali Angelo Amato, dhe prej shumë Kardinajve, Ipeshkvijve, Meshtarëve dhe grupeve të ndryshme të cilët morën pjesë në kremtimin Eukarsitk, duke lutur dhe duke falenderuar Zotin për ngritjen si “Shërbëtore të Zotit” në elter. Më në fund dëshirojmë edhe ne të falenderojmë Imzot Angelo Massafra, Imzot Zef Gashin dhe të gjithë meshtarët shqiptarë që morën pjesë në gëzimin tonë në Sarajevë.
Bijat e dashurisë Hyjnore
Fjala e Paqes Nr. 5 (100) Viti XIII Gusht – Shtator 2011