Vuajtje
Historia e shkurtër
Kur flasim për një fakt historik, atëherë duhet të kemi parasysh vendin për të cilin flasim dhe vitin në të cilin gjendemi. Flasim pikërisht për Bosnjën, vend Ballkanik i cili kufizohet nga Kroacia, Serbia dhe Mali i Zi, dhe flasim pikërisht për vitin 1941 ku ishte akoma koha e Luftës së dytë botërore. Në këtë situatë gjeografike dhe historike jetuan 5 motrat e Kongregatë, Bijat e Dashurisë Hyjnore. në Pale, në një vend të vogël, jetuan motrat në shërbim të Zotit dhe të njeriut, derisa u martirizuan.
Martirizimi i Motrave, Bijat e dashurisë Hyjnore, i ndodhur në atë kohë, që ka bërë një bujë të madhe në mbarë krahinat.
Por çfarë është Martirizimi. Martir është ai lejon që në emër të fesë, vullnetarisht pranon të vdesë e të mos ta mohojë atë. Sigurisht ky është akt feje dhe Dashurie të pamasë ndaj Zotit, për këtë ka një shpërblim të veçantë prej tij, është vepra më e lartë e dashurisë ndaj Zotit.
Çetnikët serbë, bënin kërdinë në mbarë popull, hynin nëpër shtëpi, merrni burra, gra, fëmijë, i lidhnin në mënyrë që mos të kishin mundësi të iknin, i qonin pranë lumit Drin dhe aty i masakronin. Barbarizmi i tyre nuk njihte as fe e as mëshirë. Njerëz të pafajshëm vriteshin dhe asgjësoheshin për asgjë. Kurse për ta, dukej si zbavitje dhe shpesh masakrimet i bënin nën ndikimin e dehjes. Kështu më 11 dhjetor, hynë edhe në kuvendin e motrave dhe të pesë motrat i morën për ti dërguar diku, që askush nuk e dinte se ku. Motrat ashtu, me rroba shtëpiake, të papërgatitura ishin të detyruara ti bindeshin urdhrave të tyre. Pasi motrat lëshuan kuvendin, çetikët plaçkitën atë, së pari ata vetë morën gjithçka që deshën dhe çka ishte me vlerë, e në fund i vunë flakën kuvendit me emrin “Shtëpia e Marisë” ku për shumë vite ishte shtëpi lutje dhe veprash bamirësie, shkollë dhe vend ngushëllimi për secilin që vinte. Kështu filloi udhëtimi 4 ditor i motrave, filloi Kalvari i mundimeve. Ushtarët ishin të veshur e të ngjeshur, të siguruar nga dëbora, kurse motrat ngriheshin të ftohtit dhe i ftohti i dëborës depërtonte në kockat e tyre. Gjatë rrugës jo vetëm të ftohtit rëndonte mbi to por edhe fyerjet dhe sharjet e ushtarëve, fjalët poshtëruese që lëshonin mbi to dhe kërcënimet për të këqijat që do të përjetonin. Pas gati 4 ditë rrugë në këmbë, arritën në kazernën ushtarake ku u pritën nga një qetë ushtarësh çetnikë, civilë e ushtarakë. Por tashmë motrat, njërën nga bashkëmotrat e kishin humbur. M.Berchmana për shkak të moshës së thyer nuk kishte mundur më të vazhdojë të ecë dhe ushtarët e kishin ndarë nga motrat dhe e kishin lënë në mal. Arritën në një kazernë. Filloi “Gjyqi” i motrave. Akt akuza ishte se në kuvend motrat paskan pasë një telefon të fshehtë dhe ushtarëve të tyre ju kanë lajmëruar mbi ardhjen e çetnikëve. Motrat e hodhën poshtë këtë akuzë, sepse ato asnjëherë nuk kanë patur telefon. Pasi që akuza e rreme ra poshtë, atëherë çetnikët thanë akuzën tjetër, se ato kanë qenë ‘lavire’ të ushtarëve dhe nëse këtë shërbim ua kryejnë çetnikëve, atëherë do të shlyhet faji dhe ato do të jenë të lira. Kur motrat dëgjuan këto fjalë u tronditën dhe filluan të qajnë dhe të luten në heshtje. Shpifje, kërcënime rëndonin mbi to. Për momentin dukej sikur ishin të zhveshura nga identiteti i tyre femëror dhe rregulltar. Pastaj aty iu bë e ditur se do ti qojnë në Goražde, dhe atje do t’ju shërbenin ushtarëve çetnikë. Me 15 dhjetor kanë arritur aty, përsëri në një kazernë ushtarake dhe ushtarët i vendosën motrat në një dhomë në katin e dytë. Ju thanë motrave që nëse i bien mohit shërbimit të Vatikanit dhe të zhvishen prej mënyrës së jetës së deriatëhershme, ato do ta shpëtonin kokën e tyre. Sulmi ndaj motrave ishte urrejtje e pastër e fesë katolike. Por motra Jula, superiore, kishte thënë “më mirë të vdesim se t’ju japim atë çfarë kërkojnë”.
Nata e 15 dhjetorit ka qenë e tmerrshme, sepse motrat nuk e kanë ditur fatin e tyre dhe si do të përfundonin. Tregohet nga dëshmitarët, që dhe ata vetë kanë qene pengje, se kur ushtarët iu janë ofruar motrave për qëllime të mbrapshta, kanë dëgjuar britmat e motrave në tentativë për t’ju ikur nga duart, dhe me thirrjen në gojë : “Jezus na shpëto” motrat janë hedhur nga dritarja e katit të dytë njëra pas tjetrës. Dëshmon edhe një ushtarët e plagosur që i kishte parë motrat të hidheshin, ai thotë se, secila përpara se të hidhej ka bërë shenjën e kryqit. Ushtarët të tërbuar se nuk arritën të përmbushnin dëshirat e tyre kafshërore, kanë marrë thikat, kanë zbritur poshtë dhe i kanë copëtuar trupat e tyre gjysmë të vdekur, dhe më pas i kanë hedhur në lumin Drin. Meshtari Ante Baković, që atëherë ka qenë fëmijë 11 vjeçar, dëshmon se i ka parë me sytë e tij trupat e copëtuar dhe të theruar me thikë të motrave, gati komplet të zhveshura. Nëna e tij e mirë deshi ti merrte trupat që ti varroste si ju përket dhe siç e meritonin, por pas tentativave nuk arriti dot. Atëherë copëzat e trupave të motrave i kanë hedhur në lumin Drin, dhe prej kësaj ato quhen edhe Martiret e Drines. Lumi Drin u bë ‘varri’ i tyre tokësor por, banesa e tyre e vërtetë është Qielli. Tashmë Kisha i ka ngritur në shkallën e të Lumturave dhe festa e tyre festohet me 15 dhjetor, pikërisht dita në të cilën kanë vdekur. Vdekja për të krishterin nuk është fundi por, fillimi i një jete që nuk mbaron.
Të lumturat Martiret e Drines – Lutuni për ne!